AlbanianSport.com 03.08.2016 13:30
ASNN – Lojërat e 31-të Olimpike Verore duan edhe dy ditë ta ngrenë zyrtarisht siparin e tyre, por kjo nuk do të thotë se garat nuk kanë nisur. Edhe për efekt kalendari, do të jetë futbolli, e më konkretisht ai i femrave, që do të shkelmojë i pari topin në “Rio 2016”.
Turneu Olimpik i futbollit të Femrave në këtë Olimpiadë nis sot me ndeshjet e para në grupet E, F dhe G. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili është edhe transmetuesi zyrtar i këtyre Lojërave Olimpike në vendin tonë, do të sjellë për sportdashësit 3 prej këtyre ndeshjeve.
Kështu, duke nisur nga ora 18:00, luhet takimi midis Suedisë dhe Afrikës së Jugut, i vlefshëm për grupin E. Ndërkaq, duke nisur nga ora 21:00, po në kuadër të këtij grupi, luhet superdueli Brazil-Kinë, ndërsa sfida e tretë, është ajo që luhet duke nisur nga ora 23:00, midis Zimbabves dhe Gjermanisë.
Edhe të enjten Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë 3 ndeshje të tjera të Turneut Olimpik të futbollit të Femrave, për të kulmuar të premten, duke gdhirë e shtuna, në ora 01:00 pas mesnate, me spektaklin e Ceremonisë së Hapjes.