Gjergj Vyshka 02.08.2016 14:20
Federata Shqiptare e Basketbollit ka lajmëruar dje se seancat stërvitore të kuqezinjve do të jenë të hapura dhe për trajnerët e kampionatit shqiptar. Dhe kjo dhe me lejen e qipriotit Kostandinides, i cili dhjetë minuta pas përfundimit të seancës stërvitore do të jetë në dispozicion të atyre që kanë ndjekur këtë seancë për t’iu përgjigjur të pranishmëve.
Seancat stërvitore të kuqezinjve janë programuar nga ora 10:00, deri në ora 12:00 paradreke, dhe nga ora 19:00, deri në ora 21:00, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe ky “leksion” për trajnerët e kampionatit shqiptar do të zgjasë deri më 15 gusht 2016. Me sugjerimin e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, stafi i institucionit më të lartë të koshit shqiptar është porositur që të mbajë shënim të gjithë trajnerët që marrin pjesë çdo ditë në seancat stërvitore.
Kushti i vetëm i vendosur nga Kostandinides është që trajnerët pjesëmarrës duhet të jenë të gjithë në anën ballore të tribunës dhe jo të veçuar e të gjithë në kushte të plota qetësie.