Gjergj Vyshka 31.10.2015 10:40
Ashtu siç kishte premtuar dhe më parë, trajneri i Studentit “kampion” në volejboll për meshkuj, Ylli Tomori, e ka bërë përforcimin e tij të shumëkërkuar. Bëhet fjalë për organizatori shqiptar Donald Suxho, i cili ka luajtur me kombëtaren amerikane, por jo vetëm. Ai ka një eksperiencë me shumë klube evropiane, sidomos në Itali, atje ku ka fituar kampionate dhe Kupa të Evropës. Dhe Suxho, i cili është përforcimi i tretë i Studentit në prag të ballafaqimit me hungarezët e Fino Kaposvarit, që do të luhet të mërkurën në ora 18:30 në fushë të huaj, e ka bërë dhe trajnerin Tomori të ndihet më mirë.
Dje skuadra ka provuar veten me Suxhon në parket në një miqësore me Teutën në Durrës. Por ajo që bën përshtypje në Federatën Evropiane të Volejbollit tek Studenti nuk figuron i federuar as maqedonasi Milev dhe as Suxho. Por vetëm Troka. Dhe duket se janë bërë vetëm për ndeshjen e dytë, e cila më 20 nëntor do të luhet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në ora 18:00. Skuadra udhëton të hënën drejt Hungarisë me makinë, kuptohet për të bërë një ndeshje të mirë dhe pse jo për të synuar kalimin e turit. Sepse të gjithë këto përforcime janë bërë nga trajneri Tomori pikërisht për këtë qëllim. “Sigurisht që jemi gati për ballafaqimin ndërkombëtar”, – ka thënë ai.
“Skuadra ndihet mirë me Suxhon dhe unë jam i bindur që do të bëjmë një paraqitje dinjitoze ndaj hungarezëve, pse jo dhe të kalojmë turin”, – ka shtuar shkurtimisht trajneri Tomori, ndërsa skuadra e tij ishte në prag të miqësores me Teutën. Ndërkohë në Hungari do të gjykojë boshnjaku Adnand Kolos dhe polaku Markus Petshe. Kurse në ndeshjen e dytë turku Mehmet Demirdelen dhe greku Joanis Joanidis. Kësisoj një ardhje e Suxhos do të thotë që Studenti të marrë tjetër formë jo më si dy vjet më parë me rumunët e Unirea Dejës.