AlbanianSport.com 01.08.2016 14:20
ASNN – Nuk kanë të mbaruar problemet organizative në Rio de Zhaneiro. Situata është me të vërtetë alarmante. Përveç problemeve me apartamentet në fshatin olimpik, tashmë në ujërat ku do të zhvillohen garat me vela dhe ato të notit janë gjetur kufoma. Ko gjë mund të sjellë probleme shëndetësore tek atletët.
9 ditë para fillimit të Olimpiadës, situata në Rio është ajo e disa muajve më parë. Përveç problemeve me mjediset e fshatit olimpik, ende të papërfunduara, kërcënimit serioz nga mushkonjat për përhapjen e virusit “Zika”, u shtohen edhe papastërtitë e vërejtura në ujërat ku do të zhvillohen garat e notit dhe ato me vela.
Në Guanabara, lokalitet ku do të zhvillohen këto dy disiplina garash, ujërat janë me papastërti të mëdha dhe nuk mund të jenë ende gati për të zhvilluar aty garat e një olimpiade. Përveç mbeturinave të ndryshme që vazhdojnë të derdhen në këtë zonë ujore, në të janë gjetur edhe kufoma të të gjitha llojeve, qen, mace, madje edhe njerëz.
Sipas burimeve nga policia braziliane, kufomat e njerëzve janë fryt i larjeve të hesapeve, nga bandat e ndryshme kriminale. Kjo situatë ka qenë që para disa muajsh, kur është bërë edhe kontrolli i parë i ujërave të Guanabaras. Autoritetet patën premtuar se çdo gjë do të kthehej në normalitet për Olimpiadën, por kjo gjë nuk ka ndodhur.