AlbanianSport.com 31.07.2016 19:00
ASNN – Edhe pse kanë mbetur edhe pak ditë nga fillimi i Lojërave Olimpike, kushtet që ofron fshati olimpik në Rio De Zhaneiro nuk janë premtuese. Në disa apartamente nuk kanë përfunduar ende punimet hidraulike dhe elektrike. Kjo ka bërë që delegacionet olimpike të Australisë, Argjentinës e Suedisë, të cilat kanë mbërritur tashmë në Brazil, të akomodohen në dhoma me qira.
Duket se jo çdo gjë po shkon mirë në fshatin olimpik, të Rio De Zhaneiros, i cili do të presë sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike. Kjo për faktin se kushtet higjienike nuk kanë qenë të mira. Këtë e ka vërtetuar, ekipi olimpik i Suedisë që ka mbërritur një ditë më parë Rio. Tualetet kanë qenë jashtë çdo funksioni dhe ekipi suedez është detyruar të marrë dhoma me qira.
Ata kanë deklaruar se nuk do të kthehen në mjediset e fshatit olimpik derisa të përfundojnë të gjitha punimet hidraulike. Edhe ekipi olimpik i Australisë e ai i Argjentinës janë larguar nga fshati olimpik disa ditë më parë, pasi kushtet e dhomave nuk kanë qenë të përshtatshme për të banuar. Komiteti Organizativ i “Rio 2016” ka premtuar se brenda kësaj jave do të përfundojnë të gjitha instalimet elektrike dhe hidraulike.
“Ne kemi 630 njerëz që punojnë 24 orë në ditë për të rregulluar problemet në fshatin olimpik dhe të gjitha kushtet do të plotësohen deri në fund të kësaj jave” – ka thënë Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, i Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike “Rio 2016”. – Po bëhen disa ndryshime në të gjitha apartamentet ku ka patur probleme hidraulike dhe elektrike. Me këto probleme po merren teknikët tanë.”