Gjergj Vyshka 31.07.2016 14:25
Përtej gjithçkaje acarimi më i madh i Mark Krroqit dhe Vllaznisë me Federatën Shqiptare të Volejbollit është shkresa, siç dhe pranon ai për “Sport Ekspres”, e para pak ditësh që ka ardhur nga Sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola, për likuidimin e borxheve të pashlyera. “Vërehen shifra borxhi të çuditshme, – rrëfen kreu i shumësportëshit shkodran. – Nisur nga detyra funksionale shtetërore, u kam kërkuar: 1) Vendimin e kryesisë për tarifat financiare që klubet dhe shoqatat duhet t’i paguajnë Federatës Shqiptare të Volejbollit, 2) Vendimin e Asamblesë për të njëjtën gjë.”
“Duke mos pasur një përgjigje zyrtare të kërkesave normale marr një përgjigje jo normale se këto kanë qenë tarifat, – ka vijuar ai. – Që do të thotë se nuk e di se tarifat i propozon FSHV dhe i miraton Asambleja. Shumë herë kam paraqitur shqetësimin se institucionet shtetërore funksionojnë me buxhet kalendarik janar-dhjetor, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Volejbollit vazhdon historinë e tij me sezon sportiv 2015-2016 duke treguar një paaftësi totale në ushtrimin e detyrës së tij, njësoj si paraardhësi i tij.”
“Këto probleme shqetësuese me siguri do të hapen edhe nga përfaqësues të tjerë të komunitetit të volejbollit në asamblenë e ardhshme në shtator, sepse mendoj që shqetësime të tilla nuk janë vetëm të Vllaznisë”, – këmbëngul Krroqi, ndërsa kështu po shkohet drejt krijimit të situatës së para dy vjetësh, atje ku fillimisht u bojkotua hedhja e shortit dhe, më pas, Federata Shqiptare e Volejbollit u tërhoq nga tarifat e 2014-ës dhe la ato që ishin më parë. Pyetjeve të “Sport Ekspres” se “nëse Federata Shqiptare e Volejbollit nuk do të mund të mbahet me detyrimet që ju si anëtarësi duhet të derdhni, atëherë me çfarë duhet të mbahet dhe pse FSHV-ja është gjithnjë e keqe sa herë që kërkon borxhet”, Kroqi do t’i përgjigjej qartazi.
“Ndaj Federatës Shqiptare të Volejbollit detyrimet duhet të paguhen, por jo “t’ia veshë kot”, – ka theksuar ai. – Unë s’e di kujt vendimi i referohen në përcaktimin e kësaj shume parash, por Vllaznia nuk ka paguar kurrë 3.240.000 lekë në sezon. A e kuptoni që Sekretari i Prgjithshëm nuk e di se kur dhe si janë marrë vendimet për vendosjen e këtyre tarifave”. Shkurt borxhet e krijuar kanë sjellë acarimin dhe sulmin e Vllaznisë, ndërsa hendeku mes shkodranëve dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit tashmë është hapur dhe thelluar shumë…