Gjergj Vyshka 31.07.2016 11:40
Flamuri shqiptar ngrihet nën tingujt e himnit kombëtar në Fshatin Olimpik “Rio 2016”. Gjithçka ka ndodhur të premten pasdite në Rio, që në Tiranë ka përkuar në mbrëmjen e vonë. Një ceremoni, të paktën edhe sipas shefit të misionit të Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, me plot ngjyra dhe spektakël.
Kryetarja e Fshatit Olimpik, legjenda e basketbollit brazilian, Zhanetë Arkain, e cila është pjesëmarrëse në katër Lojëra Olimpike, si dhe fituese e medaljes së argjendtë në “Atlanta 1996”, por dhe medalje bronzi në “Sidnei 2000”, u shprehu sportistëve dhe zyrtarëve pjesëmarrës falënderimin që ata janë në “Rio 2016” duke njohur dhe vlerësuar angazhimin dhe sakrificat që ata bëjnë për të dhuruar vlerat me te mira qe sporti i ka.
Ajo siguroi që do të bëjë më të mirën që qëndrimi në fshat gjatë zhvillimit të Lojërave Olimpike të jetë sa më i këndshëm. Në përfundim të ceremonisë u shkëmbyen simbolet e rastit.
Së bashku me delegacionin olimpik të Shqipërisë, në ceremoninë e mirëseardhjes dje në fshatin olimpik ishin dhe delegacioni i Afrikës së Jugut dhe ai i Moldavisë.