Gjergj Vyshka 31.07.2016 10:45
Sebepi i përplasjes mes shefit të klubit shumësportesh Vllaznia, Mark Krroqi, dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Volejbollit është shkresa që ka shkuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola, për borxhet e pashlyera. Dhe i gjithë sulmi i Krroqit përqendrohet totalisht tek veprimet e Vokopolës, që sipas tij nuk mbështeten asgjëkund. “Kam qenë ndër mbështetësit kryesor të ndryshimit të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Volejbollit, e cila ishte e mbushur me probleme”, – ka deklaruar ai fillimisht.
“Në të vërtetë kryesia e re ka bërë një punë shumë pozitive për nxjerrjen nga kolapsi që ish-sekretari i përgjithshëm e kishte futur Federatën Shqiptare të Volejbollit, – ka pohuar kreu i shumësportëshit shkodran. – Gjithashtu kryesia e Federatës Shqiptare të Volejbollit hodhi një hap të rëndësishëm në përzgjedhjen e elementit përfaqësues dhe të trajnerëve në veprimtaritë ndërkombëtare, të cilat ishin shumë pozitive. Pritshmëritë për organizimin e një kampionati siç kërkohej, apo ndërtimi i marrëdhënieve me klubet dhe menaxhimi i detyrimeve që ato kanë, rezultojnë negative.”
Por, më tej, Krroqi ndalet menjëherë tek gjyqtarët, që sipas tij kanë pasur mangësi të mëdha jo vetëm në kampionati, por dhe në Kupën e Shqipërisë. “Gjyqtarët e rinj, – thotë Krroqi, – me paaftësinë e tyre duke dashur të bëjnë protagonistin, pse jo dhe arrogantin, që është një tjetër shenjë e paaftësisë, vendosen fatin e ndeshjes përmes nxjerrjes së kartonëve të kuq në pikët e fundit të setit. Me të drejtën e personit të interesuar, bëj ankim tek Sekretari i Përgjithshëm i FSHV-së, që nuk denjon të më kthejë as përgjigje zyrtare dhe as që e bën të pranishme kërkesën tonë në Komisionin e Disiplinës.”
“Këmbënguljes time për një përgjigje për drejtimin e paaftë të gjyqtarit e marr përmes një përcjelljeje në “e-mail” nga Sekretari: Ju luajtët keq…! – ka rrëfyer ai. – Është e vërtetë që luajtëm jo mirë, por kjo s’ka lidhje me Federatën Shqiptare të Volejbollit. Federata Shqiptare e Volejbollit dhe Sekretari që paguhet nga shteti, si person i paanshëm, dhe komisioni përkatës, duhet të analizojë gjykimin dhe ta analizojë dhe të mos e kalojë në heshtje. Në të tilla kushte kërkesa e klubit kaloi pa përgjigje dhe gjykimi do të vazhdojë t’u bjerë në qafë sportistëve.
“Dhe justifikimi do të jetë i njëjtë: S’kemi të tjerë”. Që do të thotë se edhe pas 3-4 muajsh, Vllaznisë dhe Krroqit duket se u ka mbetur peng ajo që ka ndodhur në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet me kuqeblutë dhe gjyqtarin Eduard Preka.