Gjergj Vyshka 28.06.2016 13:30
Luigj Vata, të paktën edhe sipas atyre që kanë qenë të pranishëm në Kampionatin Ballkanik të moshës deri në 15 vjeç në Shkup, e ka merituar të ishte fitues i medaljes së artë dhe njëkohësisht dhe “Kampion Ballkani” për peshën 66 kg. Vata ka fituar 3 ndeshje radhazi, ndaj bullgarit Tenev Rodostin, turkut Koxh Alihan dhe serbit Dushan Janosheviç.
Në finale ka qenë përsëri përballë serbit në një ndeshje shumë të ekuilibruar, e cila nuk është ndarë me pikë. Por këtu ka hyrë në lojë gjyqtaria, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë sekretari Çapo, i cili pretendon se Vatës i është dhënë një faull “shido”, ndërsa nuk ka qenë e tillë.
Kuqezinjtë e kanë kundërshtuar atë, sepse, sipas tyre, faulli i dhënë nga gjyqtari i tapetit ishte i pavërtetë. E në të tilla kushte Luigj Vata është shpallur nënkampion Ballkani për peshën 66 kg, ndërsa moralisht është ai Kampioni i gadishullit për Nën-15-vjeçarët në këtë kategori peshe.