Gjergj Vyshka 28.06.2016 09:50
Federata Shqiptare e Qitjes, në strategjinë e saj për zhvillimin e disiplinës së qitjes me pjatel dhe promovimin e saj në të gjithë vendin, në bashkëpunim me Bashkinë e Pukës dhe Klubin Shumësportësh “Tërbuni”, ka zhvilluar fundjavën e kaluar kupën “Abdullah Zyber Laçi”. Në të kanë marrë pjesë qitësit e Vllaznisë, Besëlidhjes, Tërbunit e Tomorit. Ajo që duhet theksuar, sipas informacionit që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi, Abdullah Zyber Laçi ka qenë një ndër qitësit më të vjetër në Pukë.
Gjithçka është zhvilluar në stadiumin e Pukës “Ismail Xhemali”, ndërsa në të ka qenë i pranishëm Kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rrufa, si dhe Presidenti i Klubit Shumësportësh “Tërbuni”, Përparim Laçi. Parë aktivitetin, por dhe dëshirën për të bërë e zhvilluar qitjen me pjatel, kryebashkiaku i Pukës, Gjonaj, ka premtuar ndërtimin e poligonit me financimin e pushtetit lokal. E në të njëjtën kohë, presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rrufa, ka premtuar pajisjen me aparaturë të këtij poligoni.
Në përfundim të konkurrimit në vendin e parë është renditur Zija Alijahaj i Vllaznisë. Pas tij, Mustafa Cafi i Besëlidhjes dhe Elvis Marvataj i Tërbunit. “Kjo ishte veprimtaria e parë i vitit 2016 në qitjen me pjatel, ndërsa këtu ka qenë veprimtaria për zonën e Veriut, kurse në tetor do të zhvillojmë të njëjtën garë, por tashmë për Jugun, në Berat”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm. Mikerezi, i cili mbi të gjitha ka vlerësuar mikpritjen e presidentit të Klubit Shumësportësh “Tërbuni”, Përparim Laçi, i cili për të gjithë të pranishmit në këtë turne të qitjes me pjatel shtroi dhe një drekë në Hanin e tij.