AlbanianSport.com 26.06.2016 18:45
ASNN – Xhek Miller është fituesi i Çmimit të Madh të Holandës në garën e radhës Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit (Moto GP). Australiani fiton në pistën e Asenit pas një gare të çmendur, duke lënë pas spanjollin Mark Markez dhe britanikun Skot Reding. Garë e çuditshme kjo në Asen, me shiun që nis dhe pushon duke e ndërprerë atë në mes. Çmimi i Madh i Holandës i dhuron sërish kampionatit të Moto GP-së një tjetër garë ku ndodh gjithcka.
Gjithçka fillon me një pistë të lagur për të ardhur me pas rrebeshi që ndërpret garën në xhiron e 14-të. protagonistë në pjesën e parë të garës janë Valentino Rosi dhe Doviciozo, që e nisin garën mjaft mirë, por pas një xhiroje kalohen nga Hernandez, i cili sidoqoftë, rrëzohet në xhiron e 10-të. Përpara se të nisë shiu i afrohen kreut Petruci dhe Reding. Dhe, pikërisht në këtë moment, vjen flamuri i kuq, që ndërpret garën e cila rifillon pas 25 minutash.
Por, më rifillimin e saj, të tre italianët dalin nga gara njëri pas tjetrit. në fillimin Petruci, të cilit i fiket motori, pastaj Doviciozo, që rrëzohet në kthesë, dhe, në fund, Valentino Rosi, që ishte në krye të garës në atë moment. Me daljen e Rosit nga gara, kryesimin e merr Mark Markez, i ndjekur nga Miller dhe Reding. Pas krahëve të tij është Xhek Miller i papërmbajtshëm, që arrin ta kalojë spanjollin, duke mbërritur i pari në finish, dhe duke fituar Çmimin e Madh të Holandës.
Kësisoj, spanjolli i “Honda”-s, Markez, duhet të kënaqet me vendin e dytë dhe është fituesi moral i garës, pasi kundërshtarët e tij janë shumë prapa, me Rosin jashtë garës dhe Lorencon, në vendin e 10-të. Tashmë, Markez kryeson Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit, me 145 pikë i ndjekur nga Horge Lorenco, me 121, dhe Valentino Rosi, me 103 pikë. Gara e radhës do të jetë më 17 korrik 2016, në pistën e Saksenringut, e vlefshme për Çmimin e Madh të Gjermanisë.