Përgatitjet e Vllaznisë për sezonin e ri do të nisin në fillim të muajit korrik. Kështu ka vendosur trajneri Armando Cungu, sipas të cilit 6 javë do t’i mjaftojnë atij për ta bërë gati skuadrën për ndeshjen e parë të kampionatit të sezonit të ardhshëm. Kështu, duke qenë se sezoni i ri i Kategorisë Superiore pritet të nisë në fund të muajit gusht, nisja e stërvitjes në fillim të muajit të ardhshëm duket në kohë.
Një arsye tjetër pse është vendosur nisja e stërvitjes pas 10 ditësh ka të bëjë edhe me kompletimin e skuadrës si me lojtarë cilësorë, ashtu edhe me bazë materiale. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit po punojnë gjatë gjithë kohës. Pikë së pari po shihet mundësia e firmosjes me ndonjë lojtar cilësor. Baza e skuadrës sigurisht që do të jetë ajo e sezonit të kaluar.
Nga futbollistët që luajtën deri para një muaji ende nuk është rinovuar kontrata me mbrojtësit Vrapi e Marku, po ashtu nuk dihet ende edhe e ardhmja e mesfushorit Kalaja, që pritet të largohet. I vetmi futbollist i ardhur, që ka firmosur deri më tani, është mbrojtësi shkodran, Olsi Gocaj, megjithatë ai nuk mjafton. Po bisedohet edhe me disa futbollistë të tjerë, por akoma nuk është arritur akordi me ta.
Përveç plotësimit të skuadrës me lojtarët e duhur, drejtuesit e klubit po shohin edhe mundësinë e plotësimit të saj me bazë materiale e për këtë arsye po shikohen disa opsione. Madje ideja është që baza materiale të mos sigurohet vetëm për ekipin e pare, por për të gjithë akademinë e klubit shkodran të futbollit dhe për këtë po shikohen ofertat më të mira.
Në pamje të parë të krijohet ideja se Vllaznia është paksa vonë me përgatitjet për sezonin e ri, megjithatë janë edhe 10 ditë për të bërë disa ndryshime dhe kjo periudhë mund të jetë edhe e mjaftueshme.