Gjergj Vyshka 25.06.2016 09:55
Çiklizmi shqiptar ka shpallur dje kampionët e kronometrit për të tre kategoritë, paratërinjtë, të rinjtë dhe elitën. Në ceremoninë e dorëzimit të trofeve ka qenë i pranishëm presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Anxhaku ka vlerësuar jo vetëm kontributin e çiklistëve, të cilët kanë sfiduar të nxehtin për të bërë një garë me nivel, por dhe gjyqtarinë, si dhe policinë e shtetit e cila ka qenë mbështetëse gjatë gjithë segmentit rrethrrotullimi i TEG-Kristal Center e kthim.
Për shkak të kategorive, gara ka qenë e ndarë në kilometra e xhiro të ndryshme; 12.5 kilometra për paratërinjtë, 25 kilometra për të rinjtë dhe 37.5 kilometra për elitën. “Më duhet të vlerësoj, – thotë presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, – mbështetjen që na ka bërë presidenti i kompanisë së Ujit Lajthiza, Hajri Elezi. Po kështu falënderoj dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë garë të parë. Një nivel shumë i lart dhe jam i kënaqur me paraqitjen që kanë bërë çiklistët”.
E për shkak së të nxehtit të madh, teksa temperaturat në Tiranë dje kanë shkuar dhe 40 gradë celsius, atëherë është vendosur që gara e rrugës të bëhet sot paradite. “Në ora 09:00 do të jetë nisja për paratërinjtë dhe të rinjtë dhe në ora 10:00 për Elitë”, – ka përfunduar Anxhaku, ndërsa ky kampionat individual është dhe një provë gjenerale për Kampionatin Ballkanik të Elitës dhe Nën-23-vjeçarët, që do të zhvillohet në Elbasan nga data 1, deri më 3 korrik 2016.
Kampionati Kombëtar i Çiklizmit
për Paratërinjtë, Të Rinjtë & Elitën
Rezultatet teknike të garës së kronometrit
Paratërinjtë (12.5 km)
Nr. Çiklisti (Ekipi) Koha
- Bruno Kola (Vllaznia) 16’08”
- Amarildo Goga (Apolonia) 16’20”
- Serxhio Gjoshi (Burreli) 16’36”
Të rinjtë (25 km)
Nr. Çiklisti (Ekipi) Koha
- Klidi Jaku (Romanjono Itali) 30’12”
- Erion Toska (Teuta) 32’52”
- Kledison Cani (Vllaznia) 34’46”
Elitë (37.5 km)
Nr. Çiklisti (Ekipi) Koha
- Eugert Zhupa (Sothuest Itali) 44’01”
- Ylber Sefa (Tirana) 45’47”
- Laert Bregu (Apolonia) 48’36”