Kuqeblutë nuk dinë të ndalen në merkato. Dje ato kanë firmosur edhe me një emër të njohur të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Bëhet fjalë për Brunild Pepën, sulmuesin lushnjar që sezonin e kaluar luajti për ngjyrat e Bylisit. Shkodranët, dhe në veçanti stafi teknik i Vllaznisë, ia njohin mirë vlerat këtij futbollisti.
Në të gjitha ballafaqimet e vështira, që kuqeblutë kanë pasur gjatë sezonit të kaluar me ballshiotët, sulmuesi Pepa ka qenë me të vërtetë ndër futbollistët më problematikë të skuadrës kundërshtare. Nga sa bëhet e ditur në klubin e futbollit Vllaznia për Pepën është tentuar edhe në janar për ta veshur kuqeblu.
Por, për arsye të ndryshme, nuk u arrit dot një gjë e tillë. Vetëm tani, pas këmbënguljes edhe të trajnerit Armando Cungu, administratori i klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezi, arriti të gjejë gjuhën e përbashkët me vetë futbollistin dhe menaxherin e tij. Ndonëse nuk bëhen të ditura shifrat financiare, ajo që konfirmohet zyrtarisht nga klubi është se kontrata e 26-vjeçarit Brunild Pepa do të jetë dyvjeçare me Vllazninë.
Me firmosjen e lushnjarit të Bylisit me Vllazninë, skuadra kuqeblu duket se ka gjetur sulmuesin e kërkuar, por gjithsesi, për të siguruar një vend në 11-shin e parë të kuqebluve, Pepës do t’i duhet të rivalizojë edhe me sulmuesin aktual, shtatlartin Arenc Dibra.