Gjergj Vyshka 24.06.2016 18:00
Mundja shqiptare bëhet gati për veprimtarinë ndërkombëtare të radhës, pasi, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Federate, Ndriçim Spahiu, do të merret pjesë në turneun ndërkombëtar të Suboticës, i quajtur “Refik Memisheviç-Brale”.
Ky turne, që është për grupmoshën e paratërinjve, është në stilin klasik, ose i quajtur ndryshe greko-romak. Sipas informacionit që ka dhënë sekretari Spahiu, Shqipëria do të përfaqësohet me Leonard Frrokajn, në peshën 58 kg, dhe Kevin Kupin, në peshën 63 kg.
Dy mundësit e Tiranës të grupmoshës së paratërinjve do të kenë për trajner Altin Bulkun, ndërkohë që pjesë e delegacionit do të jenë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, si dhe Sekretari i përgjithshëm Ndriçim Spahiu.
E pritet që të ketë një pjesëmarrje të gjerë të vendeve fqinje, ndërsa Shqipëria në mundjen klasike kërkon të bëjë një përfaqësim sa më dinjitoz.