AlbanianSport.com 24.06.2016 16:10
ASNN – Shtërmeni në peshëngritje nuk do të jetë më skuadër private. Por që nga dita e djeshme me vendim të Këshillit Bashkiak të Cërrikut kjo skuadër do të jetë shtetërore, ndërsa do të mbështetet plotësisht me buxhet nga Bashkia e qytetit të vogël. Kështu që Shtërmeni, i cili deri dje është mbështetur nga biznesmenë të ndryshëm, tashmë do të jetë plotësisht shtetëror.
Në këto kushte, Shtërmeni, si fshat që spikat për nxjerrjen e talenteve në peshëngritje, tashmë është pjesë e Bashkisë së Cërrikut me ndarjen e re territoriale, ndaj dhe ka përfituar buxhet për sportin. Madje skuadrës i është ndryshuar dhe emri, ndërsa do të quhet “Shtërmeni 2016” dhe do të vazhdojë të drejtohet nga trajneri veteran, Leonard Toska.
Shtërmeni ka dhe një meritë të madhe, sepse është skuadra që do të ketë peshëngritësin e vetëm të Shqipërisë në Lojërat Olimpike, teksa bëhet fjalë për Briken Caljen, që zyrtarisht dje është shpallur nga kryesia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes si përfaqësuesi i saj në Brazil. Leonard Toska falënderuar këshillin bashkiak dhe kryetarin e Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska për këtë mbështetje.
“Shpresoj që duke qenë ekip i Bashkisë të mos na mungojë asgjë financiarisht, sepse është më kryesorja për mua dhe sportistët që kam. Kushtet në palestër janë shumë të mira. Kështu që s’na mbetet gjë tjetër veçse të arrijmë rezultate pozitive”, – ka përfunduar Leonard Toska, ndërsa Shtërmeni në peshëngritje tashmë do të jetë skuadër shtetërore.