Gjergj Vyshka 24.06.2016 13:25
Federata Shqiptare e Peshëngritjes në mbledhjen e djeshme të kryesisë, duke marrë për bazë renditjen, por dhe rezultatet e mira në Botëror dhe Evropian, ka vendosur që shtangisti shtërmenas, Briken Calja, të jetë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Calja ka më shumë se një javë që është duke u përgatitur në Resortin “Tropikal”, ndërsa që në ditën e parë të grumbullimit ka qenë i bindur se do të jetë ai përfaqësuesi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Madje një ditë më parë në një shkrim për gazetën “Sport Ekspres” ka deklaruar se do të sjellë dhe medaljen e parë olimpike në Shqipëri. E në fakt këtë e ka përfaqësimin e dytë, sepse edhe përpara katër vjetësh ka qenë në “Londër 2012”.
“Duhet të isha dhe në Pekin 2008, por ashtu erdhën gjërat. Megjithatë jam duke u përgatitur intensivisht për të dhënë më të mirën time në Rio, pse jo dhe medalje”, ka përfunduar Calja, që do të jetë përfaqësuesi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.