AlbanianSport.com 23.06.2016 14:50
ASNN – Ditë më parë është konfirmuar që një peshëngritës do të shkojë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” dhe kjo duket se i takon Briken Caljes, që është renditur në vendin e 6-të në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar në Hjuston. “Përsa i përket asaj se kush do të shkojë nga peshëngritja në Olimpiadë, unë mendoj se më takon mua”, – ka pohuar ai.
“E kjo për shumë arsye dhe sepse e meritoj atë, – ka vijuar shtërmenasi. – Në radhë të parë kam rezultate më të mira se të tjerët e kjo si pasojë e koeficientit më të lartë në krahasim me sportistët e tjerë. Dhe së dyti kam marrë pjesë në Kampionatin Evropian dhe Botëror duke u renditur më lartë se të tjerët. Kështu që të rëndësishme janë rezultatet dhe jo emrat.”
“Prandaj unë e meritoj të përfaqësoj peshëngritjen shqiptare në këtë Olimpiadë, – ka këmbëngulur peshëngritësi kuqezi. – Këtë herë, ndryshe nga ajo e Londrës para katër vjetësh, nuk do të dal duarbosh dhe do të renditem në tri vendet e para. Kam besim të madh tek vetja, pasi jam në formë më të mirë krahasuar me garat e kaluara, veçanërisht Evropianin.”
“Them se do të bëj historinë. Nuk mund të harroj pa falënderuar dhe Kryetarin e Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska, për mbështetjen e madhe që më ka dhënë gjithmonë”, – përfundon peshëngritësi Briken Calja.