AlbanianSport.com 23.06.2016 11:35
ASNN – Rrëfimi i peshëngritësit: “Shkoj në Brazil se kam rezultate më të mira se të tjerët e kjo si pasojë e koeficientit më të lartë në krahasim me sportistët e tjerë. Dhe së dyti kam marrë pjesë në Kampionatin Evropian dhe Botëror duke u renditur më lartë se të tjerët.” Peshëngritësi i Shtërmenit, por njëkohësisht dhe i ekipit kombëtar, Briken Calja, është duke u përgatitur intensivisht për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, që zhvillohen nga data 5, deri më 21 gusht 2016 në Brazil.
Calja, së bashku me trajnerin e tij Leonard Toska, kanë disa ditë që janë akomoduar në Resortin “Tropikal” në Durrës, ndërsa janë duke vazhduar përgatitjet e tyre intensive dhe me një program specifik për Lojërat Olimpike. Në një prononcim për gazetën “Sport Ekspres”, peshëngritësi i peshës 69 kg, që ishte i 6-ti në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar, ka lëshuar dhe sfidën e tij. Ai kërkon të sjellë medaljen e parë olimpike në Shqipëri, ndaj dhe e ka premtuar një gjë të tillë.
“Kam gati një javë që po përgatitem fuqishëm nën drejtimin e trajnerit tim Toska dhe konfirmoj se gjendja ime është mjaft e mirë, – ka deklaruar ai. – Kjo gjë më gëzon shumë, pasi jam në formë tepër të mirë dhe kjo falë përkushtimit tim në çdo seancë stërvitore. Kushtet në Resortin “Tropikal” janë shumë të mira dhe është Federata Shqiptare e Peshëngritjes, së bashku me presidentin e saj, Elez Gjoza, që mundësoi gjithçka.”
“Dhe për këtë gjë e falënderoj shumë, sidomos për mbështetjen e madhe që më jep, ndërsa presidenti Gjoza është i pranishëm në çdo seancë stërvitore, – ka vijuar shtangisti shtërmenas. – E jo vetëm kaq, por është dhe i përkushtuar. Dhe për këtë gjë jam i gatshëm t’ia shpërblej duke synuar një medalje olimpike në Brazil dhe të thyej historinë. Shpresoj t’ia arrij qëllimit, sepse nuk më mungon asgjë.”