AlbanianSport.com 22.06.2016 17:35
ASNN – Paraqitjet e shkëlqyera të Ledian Memushajt në sfidat ndaj Francës dhe Rumanisë në Euro 2016-të, rrisin vlerën e kartonit të tij. Por, sipas raportimeve të mediave italiane, Peskara, ka vendosur të refuzojë çdo ofertë për kapitenin e tyre. Kështu, Peskara kërkon të blindojë Ledian Memushajn.
Drejtuesit e klubit abrucez, duke parë edhe paraqitjet e shkëlqyera që ka bërë mesfushori i Kombëtares shqiptare në sfidat ndaj Francës dhe Rumanisë në Euro 2016-të, kanë vendosur të refuzojnë çdo ofertë që mund t’u vijë gjatë merkatos së kësaj vere për kapitenin e tyre.
Në ditët e fundit Bologna ka shfaqur shumë interes për Memushajn, por, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Peskara nuk do ta lejojë largimin e vlonjatit 29-vjeçar, pasi kërkon që sezonin e ardhshëm të udhëhiqet nga një lider si Ledian Memushaj në Serinë A në Kampionatin Italian të Futbollit.
Vetëm një ofertë e parezistueshme, që mund të variojë nga 4.5 deri në 5 milionë Euro, mund të bëjë që drejtuesit e Peskarës të heqin dorë nga mesfushori shqiptar. Oferta e parë e Bolonjës për futbollistin ka qenë deri në 2 milionë Euro, por falë paraqitjeve që ka bërë në Evropian, kartoni i Memushajt tashmë vlen shumë më tepër.