Gjergj Vyshka 21.06.2016 20:35
Drejtori teknik i kombëtares së volejbollit të meshkujve, Dritan Çuko: “Rezultatet që arritëm janë të ndikuara dhe nga kundërshtarët që patëm përballë, që kishim lojtarë me kapacitet të lartë fizik e teknik”. “Pas mungesës së gjatë në këto evenimente si staf mësuam se ku duhet të përqendrohemi më shumë në të ardhmen”, – ka pohuar ai.
“Pavarësisht diferencës që kemi në nivel, mendoj se nuk ishte niveli mes lojtarëve që luajnë jashtë e dhe atyre në kampionatit vendës që nuk dha rezultat, – ka vijuar zyrtari i FSHV-së. – Që do të thotë se problemet nuk kanë ardhur për mungesë të këtyre disniveleve.”
“Me problemet që u konstatuan në nivel kolektiv e individual atëherë ne nuk jemi në gjendje të përballemi akoma me ekipe të konsoliduara në të gjitha aspektet”, – theksoi Çuko, i cili ka deklaruar se shumë shpejt do të ketë dhe një analizë me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit për të gjithë paraqitjen e kombëtares së meshkujve në këtë veprimtari.
“Sepse vetëm kështu mund të planifikojmë punën në vazhdim”, – ka përfunduar Drejtori teknik i kombëtares së volejbollit të meshkujve, Dritan Çuko. Ndërkohë, suksesi i kombëtares së femrave, që në Ligën e Evropës është drejtuar nga Altin Martiro dhe Roland Tarja, teksa ka fituar 3-2 në Durrës ndaj Polonisë dhe Bjellorusisë, nuk ka kaluar në heshtje prej drejtorit teknik të meshkujve.
Dhe urimi i Dritan Çukos ishte: “Dëshiroj të përfitoj nga rasti e te përgëzoj ekipin kombëtar të femrave, si dhe drejtuesit e saj për rezultatet dhe atmosferën që na dhuruan”.
Rezultatet e Shqipërisë në
Ligën e Evropës
Volejboll – Meshkuj
Varna, 10-12 qershor 2016:
Shqipëri – Maqedoni 0-3
Shqipëri – Bullgari 0-3
Shqipëri – Danimarkë 0-3
Shkup, 16-18 qershor 2016
Shqipëri – Maqedoni 2-3
Shqipëri – Bullgari 0-3
Shqipëri – Danimarkë 0-3
Dy humbje në ndeshje miqësore me Malin e Zi,
më 27 dhe 28 maj 2016, 1-3 dhe 0-3