Gjergj Vyshka 21.06.2016 15:15
Kombëtarja e volejbollit të meshkujve, ndryshe nga ajo e femrave që të paktën arriti dy fitore historike në “Ramazan Njala” të Durrësit, nuk ka lënë asnjë shenjë e gjurmë në Ligën e Evropës. Në 6 ndeshje të luajtura vetëm një pikë e grumbulluar, dy sete të fituar dhe 18 sete të humbura. E parë kështu kjo situatë nuk e ka bërë aspak të kënaqur drejtorin teknik të volejbollit të meshkujve, Dritan Çukon. Por nuk ka bërë të kënaqur as trajnerin Jani Melka e as ndihmësin e tij Artan Kalaja. Sepse është pritur tjetër gjë.
Mirëpo ndoshta “legjionarët” Lisha, Kajtazi, Xhelati, Shurdhi e Husaj nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarët e kampionatit. Sepse që nga Gorenxa e Kola, apo dhe Troka, Malaj, Bardhi, Qafarena, Kula, Koçi, nuk kanë arritur të formojnë atë Shqipëri solide që të gjithë prisnin. E megjithatë më tepër se sa problemi i diferencave mes lojtarëve të kampionatit dhe të ardhurve nga jashtë, Çuko e sheh problemi në tjetër vështrim.
Sipas tij nuk ishin këto rezultatet e pritshme, qoftë në tre ndeshjet e luajtur në Varna, por dhe në Shkup të Maqedonisë. “Si drejtor teknik, – thotë Çuko për “Sport Ekspres”, – prisja më shumë në të gjitha aspektet. Rezultatet që arritëm janë të ndikuara edhe nga kundërshtarët, të cilët në ekipet përkatëse zotërojnë lojtare me kapacitet të lartë fizik e teknik. Madje këta lojtarë kanë edhe një kohë të gjatë që luajnë së bashku dhe në këto kushte skuadrat kundërshtare kanë më tepër harmoni se ne”.
Duke vijuar më tej, Çuko do të bënte të ditur se është ndjerë dhe mungesa e përvojës në aktivitetet ndërkombëtare. “Jo vetëm kaq, por u ndje dhe mungesa e ndeshjeve miqësore në fazën përgatitore, – tha ai. – Vetëm dy ndeshje ndaj Malit të Zi ishin shumë pak për të provuar dhe për ta testuar skuadrën, gjë e cila u ndje gjatë ndeshjeve zyrtare në momentet kyçe. Ndeshja ndaj Maqedonisë qe e vetmja që pati një funksionim të të gjithë lojtarëve që luajtën.”