AlbanianSport.com 30.10.2014 14:35
ASNN – Dhuna duket se është një pjesë e pandarë e sportit në Serbi dhe, përtej trazirave të zakonshme në futboll, shembulli më i fundit vjen nga njëri prej sporteve më të suksesshme në arenën ndërkombëtare, basketbolli.
Në incidentin më të fundit, është trajneri i Partizanit të Beogradit, Dushko Vujosheviç, i cili ka grushtuar lojtarin e tij, Mihajlo Andriç, në përfundim të ndeshjes me Hapoelin e Tel-Avivit.
Ky episod, që nuk u ka shpëtuar kamerave në përfundim të ndeshjes së vlefshme për Euro-Kupën, erdhi pasi trajneri i Partizanit të Beogradit ishte i pakënaqur me lojën e treguar në sekondat e fundit të ndeshjes.
Ndonëse serbët kryesuan në të 3 pjesët e para të lojës, duke krijuar një epërsi 10-pikëshe, izraelitët kanë fituar 10-minutëshin e fundit me shifrat 26-13 dhe të gjithë takimin rezultatin e ngushtë 82-79.
Kjo ka çuar në irritimin e trajnerit serb me lojtarët e tij dhe ishte Andriç ai që e pëson fizikisht një gjë të tillë.