AlbanianSport.com 20.06.2016 21:45
ASNN – Një finale magjike që në fund kurorëzoi më të mirët. Klivlend Kavalirs arritën të mposhtin Gollden Stejtin në fushë të huaj, duke fituar për kurorën e NBA-së. Klivlend Kavalirs janë kampionët e NBA-së për 2016-ën, pasi kanë mundur në ndeshjen e 7-të, në “Oracle Arena” të Oklendit, skuadrën e Gollden Stejt Uërriors, me rezultatin 93-89. Një sukses historik, i pari për skuadrën nga Ohio, që erdhi pasi ishte në disavantazh 1-3 në serinë finale.
Një finale që do të mbahet mend gjatë, si historike, epike, dramatike dhe e bukur. LëBron Xhejms qan në parket,qan teksa intervistohet dhe teksa shtrëngon trofeun “Larry Obrein dhe titullin e MVP të finaleve. Misioni tij për të shpallur “kampion” skuadrën e Klivlend u përmbush. Dy vjet pasi u rikthye në shtëpi, ai arriti t’i dhuronte Klivlendit titullin e parë në histori. Një titull që erdhi pas disavantazhit 1-3, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Përlotet dhe Stefën Këri, në përfundim të një sezoni të shkëlqyer. Gjithçka shkon në barazpeshë në këtë takim. Klivlend e nis mjaft mirë takimin duke kaluar në 4 pikë epërsi, por është Drejmond Grin, në një natë fantastike, që shënon në pjesën e parë të 5 gjuajtjet për 3 pikë, duke realizuar 23 pikë në këtë gjysmë të parë dhe duke e çuar Gollden Stejtin me 7 pikë epërsi në dhomat e zhveshjes. Por, në gjysmën e dytë, gjithçka ndryshon pasi Klivlendi hidhet në fushë me një fytyrë tjetër.
Kajri Irving është i papërmbajtshëm, së bashku me “Mbretin” Xhejms, duke barazuar shifrat. Dhe vendimtar është pikërisht LëBroni, me 27 pikë,11 topa të zotëruar në tabelë dhe 11 pasime për kosh, i cili, 2 minuta nga fundit realizon 3 pikëshin e artë, duke i dhuruar fitoren Klivlendit. Në histori do të futet Xhejmsi edhe me bllokun e kryer në kohën kur ndeshja ishte në barazim 89-89. Fiton Klivlendi, por Gollden Stejti meriton respekt.