AlbanianSport.com 19.06.2016 23:50
ASNN – Shqipëria i ka dhënë fund me fitore pjesëmarrjes në Ligën e Evropës në volejboll për femra. Volejbollistet shqiptare kanë mundur sot në ndeshjen e fundit Bjellorusinë me rezultatin 3-2, pas një loje të bukur, me ritëm e me grintë.
Në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, skuadra e trajnerit Altin Martiro ka arritur të sigurojë kështu fitoren e dytë në këtë veprimtari. Fitoren e parë, vajzat kuqezi të rrjetës e kanë arritur po në 5 sete ndaj Polonisë, ndërsa janë mundur nga Sllovakia me rezultatin 1-3.
Por megjithë paraqitjen e mirë dhe me dy fitoret e arritura, kombëtarja shqiptare e volejbollit nuk ka mundur të kualifikohet për më tej në Ligën e Evropës. Skuadra përfaqësuese e Shqipërisë është renditur në vendin e fundit me 4 pikë. Ndërsa kualifikohen për më tej në këtë veprimtari Sllovakia e vendit të parë dhe Bjellorusia e vendit të dytë.