Gjergj Vyshka 19.06.2016 11:35
Asnjë shenjë në Ligën e Evropës nga Kombëtarja e volejbollit të meshkujve, ndërsa Danimarka, e cila na kishte mundur dhe në Varna, na ka fundosur përsëri. Në harkun kohor të një ore e 21 minutave, danezët na kanë nxjerrë “fishek”, 0-3, duke mos na dhënë asnjë mundësi reagimi.
Në të tre setet, danezët kanë qenë në epërsi të vazhdueshme, teksa i kanë fituar 17-25, 19-25, 18-25 dhe në fund 0-3. Pikëshënuesi më i mirë ishte Bonesen i Danimarkës me 17 pikë dhe Nilsen i Danimarkës me 10 pikë. Ndërkohë në bllok ka dalë fitues Lisha dhe Gade, me 3 mure fituese.
Kurse në shërbim, Bonesen me 4, Qafarena e Nilsen me nga dy. Në total në 3 sete Shqipëria ka realizuar 54 pikë prej të cilave 28 pikë vetë, kurse 26 pikë kanë ardhur nga gabimet e Danimarkës. Në anën tjetër Danimarka ka realizuar 75 pikë në tre sete prej të cilave 50 pikë vetë, kurse 25 pikë kanë ardhur nga gabimet e kuqezinjve.
Kështu, Shqipëria e përfundon vetëm me një pikë dhe dy sete të fituara e të gjitha humbje Ligën e Evropës.
Shqipëri – Danimarkë 0-3
(17-25, 19-25, 18-25)
Shqipëria: Lisha, Husaj, Pepaj, Xhelati, Shurdhi, Malaj, Gorenxa (L) / Koçi, Kula, Qafarena. Trajner: J. Melka
Danimarka: M. Mollgard, Gade, Bonesen, Nielsen, Sorensen, Jakobsen, Bitsh (L) / Overgard, O. Mollgard, Mikelsons. Trajner: M. Trolle
Gjyqtarë: C. Ëzxhan Sarikaja (Turqi), B.Uilliems (Belgjikë)