AlbanianSport.com 17.06.2016 13:30
ASNN – Dita e 8-të të Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit “Francë 2016” luan sot 3 takime të vlefshme për raundin e dytë të ndeshjeve në grupe dhe vëmendja është përqendruar në grupin E, ku Italia përballet me Suedinë. Italianët e fituan 2-0 ndeshjen e parë, ndaj Belgjikës, ndërsa nordikët u detyruan të kënaqen me një barazim 1-1 me Irlandën dhe për këtë arsye, sfida e sotme pritet të jetë një betejë e fortë.
Kjo ndeshje luhet sot, duke nisur nga ora 15:00, ndërsa takimi tjetër i këtij grupi, ai midis Belgjikës dhe Irlandës, luhet nesër pasdreke. Ndërkohë, në kuadër të grupit D, luhen dy takime dhe, duke nisur nga ora 18:00, Republika Çeke, e cila e ka humbur ndeshjen e parë me Spanjën, përballet me Kroacinë, e cila vjen pas fitores minimale me Turqinë. Për ballkanasit, fitorja sot do të nënkuptonte kualifikimin.
Ndërsa për çekët, kjo sfidë është shansi i fundit për të mbetur në Evropian. Po në kuadër të grupit D, luhet në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:00, takimi midis Spanjës dhe Turqisë. Edhe për këtë çift vlen i njëjti skenar, pasi fitorja sot do të nënkuptonte kualifikimin për spanjollët, ndërsa për turqit, kjo sfidë është shansi i fundit për të vazhduar më tej aventurën e tyre kontinentale.