Gjergj Vyshka 16.06.2016 22:10
Nuk është vetëm minifutbolli dhe finalja e këtij kampionati pengesë për përgatitjet e kombëtareve të basketbollit në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Një parrullë e madhe në hyrje të impiantit më të rëndësishëm sportiv në Tiranë paralajmëron se më 17, 18 dhe 19 qershor do të zhvillohet Kampionati Ballkanik Ndërkombëtar i Tatuazheve.
Për rrjedhojë, kombëtarja e Nën-20-vjeçarëve, e cila do të jetë e dyta në radhë për pjesëmarrjen në Divizionin B, sepse do të konkurrojë në Halkidhiki të Greqisë, nga data 17, deri më 24 korrik, do të duhet të zhvendoset për tre ditë në sallën Nr. 3 të këtij mjedisi sporti.
Aspak normale, por në kushtet e mbijetesës së këtij Pallati Sporti, që sipas premtimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, shpejt pritet të rikonstruktohet, vazhdohet t’u vihet bërryli ekipeve sportive për veprimtari të tjera që nuk kanë lidhje me sportin. E kjo ndodh vetëm në Shqipëri…