Nga Gjergj Vyshka 14.06.2016 09:35
Tirana është rikthyer kampione e …minifutbollit. Sepse Federata Shqiptare e Futbollit pat vendosur që sivjet të mos ta ketë kampionat të mirëfilltë të futbollit të sallës duke ia transferuar Ligës Amatore, e cila e ka nisur më parë këtë veprimtari nëpër zona për të dalë më pas në finalen e madhe.
Vetëm se kampionia e minifutbollit, që për sezonin 2015-2016 është Tirana, me shpenzimet e Federatës Shqiptare të Futbollit do të marrë pjesë në Kupën UEFA në futbollin e sallës, ndërsa për bardheblutë është një rikthim pas gjashtë vjetësh mungese në këtë kompeticion.
KS “Ali Demi”-Tirana, të paktën është luajtur me rregullat e futbollit të sallës. E jo vetëm kaq, por është drejtuar nga gjyqtarë të huaj, ndërsa nga Italia kanë ardhur ndërkombëtarët Andrea Galante e Nikola Manxioleni. Sepse kjo është zgjidhja, e kthyer tashmë në modë, për t’u dhënë fund veprimtarive më të rëndësishme të sportit shqiptar.
Herë të pazot, herë të paragjykuar, por po vërtetohet se gjyqtarët vendës nuk po mund t’i nxjerrin finalet më të rëndësishme. E dje, përtej ndonjë proteste të zgjatur të stolit yë Tiranës, të gjithë kanë qëndruar “sus!” përballë vendimeve të dyshes Galante-Manxioni. Aq sa pa shumë kundërshti është pranuar dhe humbja nga KS Ali Demi.