AlbanianSport.com 13.06.2016 17:05
ASNN – Spanja ka vuajtur deri në fund, por ka arritur ta gjejë golin e fitores minimale ndaj Republikës Çeke, në takimin që ngriti siparin e Ditës së 4-t të Kampionatit Evropian të Futbollit “Francë 2016”.
Kështu, dita e 4-t e Kampionatit Evropian të Futbollit “Francë 2016”, ka nisur me takimin e orës 15:00, midis Spanjës dhe Republikës Çeke, që ishte takimi i dytë i grupit C të kësaj veprimtarie.
Takimi i parë i këtij grupi ishte ai që u luajt dje dhe ku Kroacia mundi minimalisht Turqinë. Në fakt, ndeshja e luajtur në Stadiumin “Munisipal” të Tuluzës, ka qenë e barazpeshuar dhe e luftuar deri në fund.
Për këtë arsye, 45 minutat e para nuk kanë prodhuar gol, ndonëse kampionia në fuqi e kontinentit, Spanja, ka qenë më kërkuese. Dhe kjo këmbëngulje e iberikëve do të materializohet vetëm 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Zherard Pike do shënojë golin e fitores me një goditje me kokë, duke vulosur fitoren minimale të skuadrës së tij. Spanjollët ndajnë kështu kreun e renditjes së grupit me Kroacinë, me nga 3 pikë. Takimet e dyta në këtë grup luhen më 17 qershor.