AlbanianSport.com 13.06.2016 08:45
ASNN – Gjermania ka marrë tri pikët e para në “Euro 2016”, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Johakim Lëv, ka mundur Ukrainën 2-0, në ndeshjen e parë të vlefshme për grupin C. Golat e fitores u shënuan nga Mustafi dhe Shvajshtajger. Kështu, Gjermania, e lakuar si një ndër pretendentet kryesore për ta fituar evropianin francez, nuk ka bindur në debutimin ndaj Ukrainës.
Skuadra e trajnerit Johakim Lëv ka fituar 2-0 ndaj kundërshtarëve, por futbollistët gjermanë nuk kanë zhvilluar lojën e tyre më të mirë. Edhe pse me lojtarë cilësorë, yje që luajnë në klubet më të mëdha në Evropë, tek Gjermania ka munguar fantazia, kjo falë edhe lojës tepër të organizuar të ukrainasve. Megjithatë në 45 minutat e para të lojës Gjermania luan mirë dhe arrin të shënojë me anë të Shkodran Mustafit.
Pas golit loja merr ritëm. Ukrainasit me anë të Konopljankës rrezikojnë portën e Manuel Nojer. Kundërsulmi i ukrainasve vë në vështirësi mbrojtjen e gjermanëve. Megjithatë pjesa e parë mbyllet me epërsinë njëgolëshe të Gjermanisë. Në të dytën ritmi i të dyja skuadrave bie. Ndërsa dukej se gjithçka po shkonte drejt fitores minimale të Gjermanisë, Shvajnshtajger, vulos rezultatin në 2-0 kur kishte vetëm pak minuta që kishte hyrë në lojë.