Gjergj Vyshka 13.06.2016 07:55
Festivali i fëmijëve në volejboll, që dje paradite është zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, kjo si pjesë e “Tirana Fan Zonës” për Kampionatin Evropian të Futbollit “Francë 2016”, është kthyer në një festë të rrjetës shqiptare. Në shtatë fusha, djem e vajza të cilët përfaqësonin skuadrat e Tiranës, Vllaznisë, Besëlidhjes, Minatorit, Elbasanit, nën drejtimin e trajnerëve Altin Martiro, Rolanda Tarja, Dalina Kola, Dorian Tafa, Ilir Thanasi, Artan Shabanaj kanë luajtur dhe janë argëtuar.
Por më e bukura e kësaj feste është fakti se nuk ka pasur humbës, por vetëm fitues, të cilët Federata Shqiptare e Volejbollit i ka nderuar me certifikata. Edhe sepse motoja e kësaj feste ka qenë vetëm një: E ardhmja e volejbollit i takon fëmijëve. Pikërisht këtë ka theksuar dhe presidenti i Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandar Boroçiç, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë dyditore me ftesë të presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Pjesë e festës së volejbollit kanë qenë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, anëtari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Volejbollit, Dashamir Brari, si dhe sekretari i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola.
Por “qershiza mbi tortë” si një frymëzim për këta fëmijë për të vazhduar rrugëtimin e tyre volejboll ka qenë prania e kombëtares së femrave, e cila vijon përgatitjet e saj për stacionin e dytë të Ligës së Evropës, që do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, nga data 17, deri më 19 qershor 2016. E festa ka nisur me dhënien e dorës me autoriteteve më të larta dhe fëmijëve, sepse sporti në vetvete është paqësor për të gjithë…