AlbanianSport.com 12.06.2016 23:35
ASNN – Kombëtarja kuqezi e ka lënë prapa humbjen me Zvicrën dhe e ka hedhur vështrimin drejt ndeshjes së dytë në grupin A, at me Francën. Këtë mesazh kanë përcjellë sot nga Franca në konferencën për shtyp dy mbrojtësit kuqezi, Mërgim Mavraj dhe Elseid Hysaj.
Duke iu kthyer humbjes më Zvicrën në debutim, Hysaj kujtoi se kuqezinjtë treguan karakter dhe ditën të reagonin, ndërsa presioni në një nivel kaq të lartë ekziston gjatë gjithë lojës. “20 minutat e para ishin shumë të vështira, sepse Zvicra është shumë e fortë”, – ka deklaruar ai, duke folur në Përro Girek.
“Në fakt të gjitha skuadrat vuajnë në 20 minutat e para dhe më vonë, kjo pak rëndësi ka, – vijoi ai. – Ne treguam se kemi cilësi për t’i kaluar vështirësitë dhe për të ndryshuar rezultatin”. Për futbollistin e Napolit, është kënaqësi që do të jetë kapiten, por shpreson që këtë do ta festojë me një fitore ndaj francezëve.
“Shiriti i kapitenit është kënaqësi e madhe, – ka pohuar Hysaj. – Dihet që do të kem më shumë përgjegjësi, por besoj se do të jap maksimumin, sikurse Loriku. Do të bëjmë të pamundurën që të marrim pikë, sepse po mbarojnë ndeshjet dhe na duhen pikët për t’u kualifikuar.”
“Do të jem i qetë pavarësisht emrit të kundërshtarit, – ka premtuar futbollisti shkodran. – Si kapiten ose jo, do të jap maksimumin në fushë”. Ndeshja e dytë e kuqezinjve në kuadër të grupit A, luhet të mërkurën duke nisur nga ora 21:00, në Stadiumin “Velodrom” të Marsejës.