AlbanianSport.com 12.06.2016 22:30
ASNN – Krahas ndjekjes së ndeshjeve të Kampionatit Evropian të Futbollit “Francë 2016”, hapësira e “Tirana Fan Zonë” është kthyer dhe një mundësi të mirë argëtimi dhe ushtrimi të veprimtarive sportive. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me federatat e ndryshme të sportit në vend, ka krijuar në të terrene të posaçme për zhvillimin e sporteve të ndryshme, duke filluar nga futbolli, volejbolli, basketbolli, karateja apo taekuondoja.
Të rinjtë e kryeqytetit kanë mundësi të bëhen pjesë e këtyre sporteve përgjatë gjithë ditës në 30 ditët e Kampionatit Evropian të Futbollit. Disa nga veprimtari sportive u ndoqën sot edhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nxiti të rinjtë që jo vetëm të ndjekin sportin, por edhe të merren sport, pasi kështu mundësojnë një jetë aktive fizike dhe shmangin rreziqet që vijnë nga një jetë pasive, si mbipesha. Veliaj ka dhënë gjithashtu edhe dy lajme të mira për infrastrukturën sportive në kryeqytet.
“Janë dy projekte madhore sa i përket infrastrukturës sportive në kryeqytet dhe kam kënaqësinë që të them se në vjeshtë përfundon pjesa e palestrave dhe lojërave me dorë në “Parkun Olimpik të Tiranës, – tha ai. – Në të njëjtën kohë, do të nisë puna për rinovimin rrënjësor të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Nuk mund ta fshehim që ai mjedis sportiv është tërësisht i amortizuar dhe krejtësisht i papërshtatshëm për të pritur veprimtari sportive të nivelit ndërkombëtar.”