AlbanianSport.com 12.06.2016 21:25
ASNN – Dita e tretë e Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit, që po mbahet në Francë, ka nisur me ndeshjen e orës 15:00, midis Turqisë dhe Kroacisë, dhe, duke nisur nga ora 18:00, ka vijuar me takimin e parë të grupit C, ku Polonia është përballur me Irlandën e Veriut, duke fituar me rezultatin 1-0.
Pjesa e parë e ndeshjes, e cila foli më shumë në lojë dhe raste për polakët, përballë irlandezoveriorëve të ngjeshur në mbrojtje, është mbyllur pa gola, ndërsa e dyta ka patur të njëjtën tablo. Megjithatë, ndryshe nga pjesa e parë, në të dytën Polonia do ta gjejë golin në minutën e 51-të, me autor Arkadiush Milik.
Goli i tij do të mbetet në fuqi deri në përfundim të ndeshjes, duke i dhuruar Polonisë 3 pikë të arta që e konfirmojnë si pretendente për t’u kualifikuar për më tej në grupin C, ku ndodhen edhe Gjermania me Ukrainën. Takimi i ardhshëm për polakët është supersfida me Gjermaninë më 16 qershor, ndërsa irlandezoveriorët ndeshen me Ukrainën.