AlbanianSport.com 12.06.2016 12:25
ASNN – Sporti duhet parë si një alternativë të dobishme në drejtim të jetesës së shëndetshme, sidomos për brezin e ri. Ky është apeli që Kryetari i Bashkisë të Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë të dielën nga “Tirana Fan Zonë”, ku ishte së bashku me presidentin e Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandar Boroçiç. Veliaj ka dhënë gjithashtu edhe dy lajme të mira për infrastrukturën sportive në kryeqytet.
Jetesa e shëndetshme është një nga prioritet e Bashkisë së Tiranës dhe Kryetari i saj, Erjon Veliaj, ka bërë thirrje sot që shoqëria ta shohë sportin si një alternativë të dobishme në këtë drejtim, sidomos për brezin e ri. “Sipas shifrave që na jep Ministria e Arsimit dhe Sportit, 57 % e fëmijëve janë ose kanë probleme me mbipeshën dhe kjo është shqetësuese”, – ka thënë ai, duke folur për mediat.
“Ka dy mënyra për të reaguar ndaj kësaj, – ka vijuar kryebashkiaku kryeqytetas, – njëra do të ishte të bënim asgjë, pra thjesht të rrinim, ndërsa tjetra është që ta luftojmë këtë dukuri duke promovuar sportin në moshat e reja dhe prandaj veprimtari si kjo, që përfshijnë fëmijë në sporte të ndryshme, si volejbolli, basketbolli apo artet marciale, janë të rëndësishme dhe për këtë duhet përgëzuar prindërit.”
“Nuk e fshehim se duhet të përdorim këtë eksperiencë fantastike të Kombëtares tonë në Francë dhe kualifikimin, si një mundësi për të inkurajuar jetën sportive në qytet, – ka theksuar Veliaj. – Besoj që gjithë ky admirim për sportistët e Kombëtares duhet të kthehet në vendim-marrje të përditshme që ne duhet ta kemi në këtë qytet për të inkurajuar fëmijët të merren me sport.”
“Ndaj, edhe e kemi kombinuar, nuk kemi vetëm pjesën e tifozërisë për të ndjekur ndeshjen, por edhe pjesën sportive me disa fusha”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj. Ndërkohë, presidenti i Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandar Boroçiç, ka vlerësuar organizimin veprimtarive të tilla si këto festivale sportive që po mbahen në “Tirana Fan Zone”, ndërsa ka premtuar edhe ndihmë në logjistikë dhe bazë materiale për volejbollin shqiptar në vijim.