AlbanianSport.com 12.06.2016 11:35
ASNN – Të paktën 20 persona janë shtruar në spital, pasi tifozët anglezë dhe ata rusë u përplasën me njëri-tjetrin dhe me policinë franceze në qytetin port të Marsjës. Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, tifozët rusë i sulmuan ata anglezë që brenda stadiumit, pasi ndeshja e së shtunës në mbrëmje midis dy përfaqësueseve u mbyll me një barazim dramatik 1-1.
E gjithë kjo ndodhi teksa qyteti i Marsejës është përfshirë për të 3-tin ditë radhazi nga dhuna për shkak të përplasjeve si të elementëve vendas, por edhe të tifozëve të huaj me policinë, por edhe me njëri-tjetrin. “Edhe një herë, sikundër ka ndodhur gjatë këtyre 3 dhjetëvjeçarëve të fundit, një veprimtari futbollistike ndërkombëtare bëhet arenë e përplasjeve midis njerëzve të dhunshëm që pretendojnë se janë tifozë të ekipeve të tyre përfaqësuese”, deklaroi Ministri i Brendshëm Francez, Bernard Kazenëv.
Episode dhune, por sporadike, janë regjistruar edhe në qytete të tjera të Francës, që përllogaritet të presë rreth 1.5 milionë tifozë dhe turistë në 10 qytetet organizatore të Evropianit të Futbollit. UEFA ka bërë të ditur se vendimi mbi sjelljen e tifozëve rusë në stadium do të merret të martën.