AlbanianSport.com 12.06.2016 08:15
ASNN – Anglia dhe Rusia janë përballur me njëra-tjetrën në takimin e vlefshëm për grupin B të Euro 2016-ës, duke dhuruar spektakël dhe duke ndarë në fund pikët. Golit të Dajerit në minutën e 73-të, rusët iu përgjigjën me një gol të shënuar në sekondat e fundit të minutave shtesë nga kapiteni Berezutski, duke marrë një pikë mjaft të vyer që e lë grupit të hapur pas ndeshjeve të para.
Dita e dytë e Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit është mbyllur me takimin e dytë të grupit B, atë midis Anglisë dhe Rusisë, që është mbyllur në barazim 1-1. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje ka qene kryesisht e barabartë, me anglezët më kërkues drejt portës kundërshtare, por me rusët më të ngjeshur dhe të disiplinuar në mbrojtje. Për këtë arsye, 45 minuta e para janë mbyllur me rrjeta të paprekura.
Ndërsa pjesa e dytë ka qenë një dialog i vazhdueshëm midis sulmit anglez dhe mbrojtjes dhe portieri rus. Madje ky i fundit ka qenë i jashtëzakonshëm në rastin e devijimit të goditjes brenda zone të Uejn Runit, në shtyllën horizontale, duke shpëtuar një gol të sigurt. Megjithatë, golin anglezët do ta gjejnë, nga një ekzekutim mjeshtëror i një goditjeje të lirë nga Erik Dajer në minutën e 73-të.
Dhe teksa mendohej se ky gol do t’i mjaftonte Anglisë për të siguruar 3 pikët, rusët do të shënojnë në sekondat e fundit të minutave shtesë, duke marrë një pikë mjaft të vyer që e lë grupit të hapur pas ndeshjeve të para. Renditjen e grupit B e kryeson Uellsi, me pikë të plota, 3, i ndjekur nga Anglia dhe Rusia, me nga një pikë secila, dhe Sllovakia, me 0 pikë.