AlbanianSport.com 11.06.2016 19:00
ASNN – Një ndeshje e humbur për fat të keq apo për raste të pashfrytëzuara. Ky është mendimi në kampin kuqezi, pas përballjes me Zvicrën. Megjithatë, asnjë nuk dorëzohet, përfshi trajnerin Xhovani De Biazi, i cili beson se mund të përmbyset situata në dy ndeshjet e tjera. “Nuk duhej të ishim ndikuar në këtë mënyrë nga ndeshja dhe nga emocionet e debutimit”, – ka thënë ai. – Lufta vazhdon.”
“Humbëm raundin e parë, nga tre të mundshëm, – ka vijuar trajneri i Kombëtares kuqezi. – Na mbeten edhe dy ndeshje, që duhet të mundohemi t’i shfrytëzojmë sa më mirë, edhe pse jemi të vetëdijshëm se luajmë ndaj kundërshtarë të vështirë. Megjithatë duhet të luajmë ashtu si në pjesën e dytë të sfidës me Zvicrën”. De Biazi e ka kritikuar Lorik Canën, duke thënë se ka mundur ta evitojë shumë lehtë kartonin e parë të verdhë.
Trajneri i Kombëtares shqiptare ka thënë se Lorik Cana e meritoi kartonin e kuq në ndeshjen ndaj Zvicrës, por shtoi më tej se kapiteni i Kombëtares ishte emocionuar tej mase me evenimentin. De Biasi ka kritikuar Canën, duke thënë se në kartonin e parë të verdhë, është dashur të tregohet më këmbëngulës me gjyqtarin dhe ta evitonte atë, gjë që nuk ndodhi.
Duke dashur të evitojë më pas një mundësi ideale të Haris Seferoviçit, Cana preku topin me dorë dhe kështu mori edhe kartonin e dytë të verdhë, për t’u përjashtuar nga loja me karton të kuq. Por pavarësisht gjithë këtyre, De Biasi thotë se skuadra nuk shfaqi të gjithë potencialin dhe cilësitë që ka. “Jemi këtu për të luajtur Evropianin tonë”, – ka theksuar 60-vjeçari.
“Është hera e parë për të gjithë dhe jam i bindur që sot mund ta kishim luajtur shumë më mirë nëse do të nxirrnim në pah të gjitha cilësitë tona”, përfundoi trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi. Shqipëria taninë duhet të përgatitet për takimet e radhës në kuadër të grupit A, atë me Francën, më 15 qershor dhe Rumaninë më 19 qershor 2016.