Gjergj Vyshka 11.06.2016 14:35
Nuk mjafton dëshira, mungon eksperienca për të mundur Maqedoninë. Shqipëria e ka humbur ndeshjen e parë të Ligës së Evropës në volejboll për meshkuj, teksa dje në Varna, përballë 150 shikuesve, është mundur pastër 3-0 nga Maqedonia. Një ndeshje që është humbur në ato momente që skuadra po udhëhiqte në rezultat dhe ishte në epërsi.
Dhe gjithçka që ka ndodhur në Varna e ka komentuar për “Sport Ekspres” presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi. “Si gjithmonë vuajmë në pikët e fundit, apo në momentet e fundit të ndeshjes, – ka thënë ai. – Nuk ndjej keqardhje, sepse kemi luajtur mirë, por duhet më shumë punë për të arritur në nivelin e marrjes së fitores edhe përballë Maqedonisë.”
“Gabojmë një herë dhe më pas i bëjmë me shumicë gabimet, – ka thënë Pëllumbi. – Kjo vjen nga mungesa e eksperiencës, por jam optimist për të ardhmen” ndërsa edhe përballë Bullgarisë sot, por dhe përballë Danimarkës nesër, apo dhe në stacionin e dytë të Ligës së Evropës për meshkuj përsëri kuqezinjtë e rrjetës duket se do ta kenë të vështirë.
Pa thënë që marrja e një seti duket se do të jetë ëndërr, pse jo një “mollë e ndalueme”. Sepse kërkohet një tjetër mënyrë në konceptimin e kombëtareve për marrjen e rezultateve pozitive, ndërsa nuk mjafton më vetëm një muaj grumbullim.