AlbanianSport.com 11.06.2016 09:20
ASNN – Kombëtarja shqiptare është gati për të dhënë maksimumin dhe për të marrë rezultat pozitiv ndaj Zvicrës. Kështu kanë folur trajneri Xhovani De Biazi dhe kapiteni Lorik Cana në prag të ndeshjes së parë në Euro 2016. “Ndaj Zvicrës nuk është vendimtare, – u shpreh De Biazi, – por, duke qenë ndeshja e parë është mirë që ta nisim siç duhet. Besoj se ndeshja e nesërme nuk do të ndikojë shumë.”
“Për mua më e rëndësishme është marrja e sinjaleve të saj, – ka vijuar ai. – Gjërat e paimagjinueshme në futboll ndodhin, por pak herë. Uroj që të ndodhin edhe për ne De Biazi ka shprehur dëshirën që Euro 2016, “të jetë një turne ku djemtë të japin maksimumin”. Një aspekt i rëndësishëm ku trajneri e ka vënë theksin ka qenë njohja e kundërshtarit.
“E dimë vlerën e kundërshtarëve, por në fushë niset nga 0-0, – ka këmbëngulur italiani me pasaportë shqiptare. – Njohja e kundërshtarit është paranteza për të arritur tek suksesi. Ndërsa njohja e limiteve është e rëndësishme për të qëndruar në binarë e të mos dalësh.” Trajneri kuqezi sqaroi se Taulant Xhaka është krejt në rregull dhe e ka kaluar dëmtimin.
Ai shtoi se do të tregohet kujdes i veçantë për Xherdan Shaqirin, që është një lojtar cilësor dhe që mund të bëjë gjëra të mëdha në çdo moment. “Taulanti është në formë shumë të mirë fizike dhe psikologjike, ashtu si edhe pjesa tjetër e ekipit, – theksoi 60-vjeçari i stolit kuqezi. – Jemi gati për të debutuar dhe duam ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.”
“Shaqiri? – ka vijuar De Biazi. – Është një lojtar me shumë kualitet dhe që në çdo moment mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Do të jetë një ndër lojtarët nga të cilët do të kemi shumë kujdes gjatë ndeshjes.” Trajneri i Kombëtares komentoi edhe fjalët e legjendës së futbollit, Erik Kantonasë, sipas të cilit për aq kohë sa Shqipëria luan në “Euro 2016”, edhe kuqezinjtë kanë shanset e tyre për ta fituar titullin.
“Sinqerisht jam shumë dakord, – ka pohuar italiani. – Arritjet e pazakonta në futboll ndodhin, edhe pse fatkeqësisht, rrallëherë. Gjithsesi, për ne, e rëndësishme është të dimë se cili do të jetë roli ynë dhe ajo çfarë duhet të bëjmë. Është e kotë të kërkojmë gjëra që nuk mund t’i realizojmë, duhet të qëndrojmë brenda kornizave të futbollit tonë, e ndoshta të përpiqemi të përmirësohemi.”
“Të kesh më tepër motivim, dëshirë për të fituar dhe për rezultate të ndihmon, – ka theksuar trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, Xhovani De Biazi. – Por, kur arrin në majë të piramidës dhe Evropiani i tillë është, vlerat teknike mund të bëjë diferencën. Lojtarët e mëdhenj mund të vendosin ndeshjet. Uroj që kjo të mos ndodhë me ne kur të përballemi me lojtarë me shumë kualitet.”