AlbanianSport.com 11.06.2016 07:50
ASNN – Me një ceremoni madhështore, të mbajtur në “Stadë dë Francë”, që i ka paraprirë ndeshjes së parë të kësaj veprimtarie, Francë-Rumani, ka nisur mbrëmë Kampionati i 15-të Evropian i Futbollit. Muzikë nën tingujt e “Di-Xheit” David Gueta, balet dhe interpretime të tjera kanë shënuar nisjen e këtij evenimenti të shumëpritur.
Parisi, simboli i Francës dhe i kontinentit i dha kështu nisjen Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit. Përpara se përfaqësuesja vendase të luante ndaj Rumanisë, një nga artistët e shquar francezë, David Gueta ishte në fushën e stadiumit kryeqytetas për himnin e turneut.
Me të edhe suedezja 18-vjeçare, Zara Larson, ndërsa 150 valltarë luajtën pjesën e tyre të spektaklit. Gjithashtu, një skuadrilje e aviacionit francez përshkoi qiellin e Parisit, duke fluturuar edhe mbi stadium e duke lëshuar ngjyrat blu, e bardhë e të kuqe, të flamurit të vendit pritës.
Menjëherë pas ceremonisë së hapjes, nisi futbolli, me vërshëllimën e gjyqtarit hungarez, Viktor Kasai.