AlbanianSport.com 10.06.2016 20:10
ASNN – Veprimtaria më e madhe futbollistike në kontinent, Kampionati Evropian i Futbollit, ngre sot siparin e edicionit të saj të 15-të, që do të organizohet përgjatë 30 ditëve në vijim në Francë. Pas një ceremonie të shkurtër të hapjes, ndërkohë që festimet kanë 24 orë që kanë nisur anembanë vendit organizator, në ora 21:00 do të nisë edhe ndeshja e parë e kësaj veprimtarie, ajo midis vendit organizator, Francës,dhe Rumanisë. Kjo ndeshje është e vlefshme për grupin A, grup ku është edhe Shqipëria, e cila merr pjesë për herë të parë në një veprimtari madhore futbollistike ndërkombëtare. Në konferencën për shtyp, mbajtur në mbrëmje, kapiteni Lorik Cana dhe trajneri Xhovani De Biazi kanë theksuar se pritshmëritë janë të mëdha. “Gjithçka do të fokusohet tek futbolli, – ka deklaruar kapiteni kuqezi. – Kemi arritur këtu duke luftuar me zemër dhe organizim. Ekipi është përmirësuar shumë në aspektin e mbrojtjes dhe riorganizimit, që ishin dhe baza e kualifikimit.” Edhe De Biasi ka shprehur dëshirën që Euro 2016, “të jetë një turne ku djemtë të japin maksimumin”. Ky Evropian do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie për shkak të kërcënimit nga terrorizmi.