Gjergj Vyshka 10.06.2016 16:30
Gjyqtari Gentian Cici do të jetë në turin preolimpik në Francë. Bëhet fjalë për një nga grupet e femrave, atje ku do të caktohen finalistet e Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Janë 40 gjyqtarë nga e gjithë bota për turneun parolimpik dhe për Lojërat Olimpike e mes tyre dhe Cici, i cili në Francë do të jetë edhe si tifoz futbollit.
Fillimisht për Shqipërinë e më pas dhe për Gjermaninë. Ndërkohë problemet e gjykimit, ardhja e të huajve në finalen e pestë të femrave për titull kampion, Flamurtari-Goga Basket, apo dhe ideja që një gjyqtar nuk duhet të gjykojë 4-5 herë një skuadër gjatë sezoni janë në fokusin e tij.
Sepse në intervistën e tij për Sport Ekspres ka folur dhe si i pari i shoqatës së gjyqtarëve të basketbollit. Ja çfarë ka thënë Cici për “Sport Ekspres”, në një intervistë që AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë, ndërsa e dyta, nesër.
– Pas Kampionatit Evropian të Të Rriturve, Kupës së Evropës për meshkuj, Ligës Ballkanike, tani edhe pjesëmarrja në turneun preolimpik për femra. Cila është rëndësia e pjesëmarrjes në këtë veprimtari? A është një vlerë e shtuar për ju si gjyqtar?
– Unë mendoj që është një tjetër hap përpara në karrierën time si gjyqtar. Duke menduar që nga e gjithë bota si në turnetë preolimpike, ashtu dhe në Lojërat Olimpike, janë emëruar vetëm 40 gjyqtarë nga e gjithë bota, atëherë them se ftesa për të qenë në Francë është diçka e mirë.
– Cici edhe në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”?
– Jo tashmë emërimet për në “Rio 2016” janë bërë, kështu që do të mendoj të shoh përpara ashtu sikurse kam bërë gjithmonë.
– Cila është agjenda juaj përgjatë verës?
– Pas turneut preolimpik të Francës do të jem në Kampionatin U-20, Divizioni B, në Halkidhiqi të Greqisë, si dhe në Kampionatin Evropian, po Divizioni B, në Oradea të Rumanisë. E më pas jam në pritje të emërimit për kualifikueset e Kampionatit Evropian të Meshkujve, që nisin në shtator.
– Në Francë mes shumë shqiptarëve, ju do të jeni edhe në stadium për të mbështetur kombëtaren kuqezi?
– Në Francë unë jam me një detyrë të caktuar. Por natyrisht, si çdo shqiptar në botë, me sy e vesh do të jem edhe tek futbolli. Do të jetë pak e vështirë për t’i ndjekur nga afër, por mbetet për t’u parë.
– Jemi në valën e Kampionatit Evropian, sigurisht që gjithkush është tifoz futbolli. Ju lejohet ju të bëni tifozllëk dhe nëse po kush e fiton atë?
– Në momentin që nuk jam në detyrë natyrisht më lejohet të bëj edhe tifozin. Sigurisht që dëshira e madhe është që të triumfojë Shqipëria. Por nëse ndodh ndryshe atëherë do të kënaqesha me triumfin e Gjermanisë.
– Duke u kthyer tek ju personalisht, çfarë i mungon karrierës suaj si ndërkombëtar si gjyqtar në veprimtaritë që keni krye deri tani?
– Të them të drejtën karrierës sime si gjyqtar i mungon një kampionat botëror dhe gjykimi në Lojërat Olimpike. Dhe personalisht mendoj se me arritjen e këtyre dy aktiviteteve do t’i jap fund karrierës sime, edhe pse mund të jetë përpara kohe. Mendoj të bëj diçka tjetër në jetë, gjithmonë pa ju larguar familjes së madhe të basketbollit.
Vijon nesër…