Gjergj Vyshka 10.06.2016 14:40
Ashtu sikurse ishte lajmëruar dhe më parë nga Federata Shqiptare e Basketbollit, dje në mesditë në sallën Nr. 3 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” është bërë seleksionimi i parë i kombëtares të Nën-18-vjeçareve në basketboll për vajza. Trajneri i kësaj kombëtareje, Viron Toska, ka pasur përkrah trajneren e të rejave të Vllaznisë kampione, Xhuljeta Shestani (Basha), por dhe basketbollisten e Flamurtarit, Elektra Zykaj.
Një pjesë e mirë e lojtareve të ardhura janë edhe pjesë e ekipeve të para. E megjithatë në përfundim të stërvitjes së parë, Toska për “Sport Ekspres” do të deklaronte se ka shtatlartësi, por ka probleme teknike. “Ne përzgjodhëm 24 basketbollistet, të cilat do të regjistrohen në Federatën Evropiane të Basketbollit për pjesëmarrjen në Divizionin B”, – ka thënë ai.
“Sigurisht që ka elementë, sa më shumë ndeshje ndërkombëtare, aq më shumë përvojë fitojnë, – ka vijuar trajneri vlonjat. – Kemi zgjedhur dhe element që do t’i shërbejnë Nën-16-vjeçareve. Por ajo që më vjen keq është fakti se Vlora Basket, dy elemente të gjatë që kishte, nuk i ka dërguar. Dhe duke ndejtur në shtëpi nuk mund të bëhesh basketbolliste.”
“Aq më tepër që është kombëtare e çdo thirrje është nder, – ka theksuar Toska. -Megjithatë kjo ishte vetëm stërvitja e parë. Do të bisedojmë me presidentin e Federatës për një program më të shtrirë të përgatitjeve. Mund të kemi dhe një apo dy përzgjedhje të tjera, sepse 12 sportiste do të mbeten në atë fazë finale. Shpresojmë në një paraqitje dinjitoze të kombëtares së Nën-18-vjeçareve.”
Kombëtarja e vajzave do të jetë në Divizionin B, më 23-31 korrik në Sarajevë, teksa do të jetë përballë Bjellorusisë, Danimarkë, Ukrainës dhe Polonisë.