AlbanianSport.com 10.06.2016 11:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar të enjten stërvitjen e fundit në Perro Gire. Ndërsa të premten në mëngjes është nisur drejt Lilës për të kryer përgatitjet e fundit përpara sfidës me Zvicrën që luhet të shtunën. Në konferencën për shtyp nga qendra stërvitore, Migjen Basha dhe Ergys Kaçe kanë qenë futbollistët që kanë dalë në konferencën për shtyp. Mbrojtësi i kuqezinjve mendon se me Zvicrën mund t’ia dalin nëse e godasin pikërisht në pikat e saj të dobëta.
“Zvicra ka shumë lojtarë të mirë në çdo repart, – ka thënë ai. – Ne i kemi analizuar shumë këto kohë dhe jemi munduar të gjejmë pikat e dobëta të tyre. Do të mundohemi t’i godasim pikërisht aty.” Migjen Basha është një nga lojtarët e parë që braktisi skuadrat e moshës së Zvicrës për t’iu bashkuar kombëtares shqiptare. Mirëpo, mesfushori rrëfeu se ka qenë ëndërruar gjithmonë që të vesh fanellën kuqezi, edhe atëherë kur mbronte ngjyrat e helvetëve.
“Edhe kur kam luajtur me Zvicrën kam ëndërruar gjithmonë që vesh fanellën e kombëtares, – ka pohuar ai. – Mirëpo, tashmë ajo i përket së kaluarës. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Lojtari i parë që braktisa Zvicrën? Po ndoshta kam thyer akullin, sidomos pasi problemet me pasaportë u zgjidhën, por mendoj se është meritë edhe e federatës që kërkoi dhe bisedoi me lojtarë të tjerë.” Basha thotë se është i gatshëm që të ndihmojë skuadrën, në aq minuta sa e mendon trajneri, duke mos qenë e domosdoshme që të luajë nga minuta e parë.