AlbanianSport.com 09.06.2016 11:25
ASNN – Dy yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, Maradona dhe Pele, kanë bërë më në fund paqe. Pas shumë polemikave midis tyre, ndër vite, më në fund ata i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, teksa zhvillohej një ndeshje miqësore në Paris. Një mesazh paqeje ky mjaft i rëndësishëm në prag të finaleve të Evropianit francez.
Maradona dhe Pele, dy figura të shquara të futbollit botëror, që në të shkuarën janë përplasur shpesh në debate dhe kritika të ndërsjellta, kanë zbritur tashmë në fushë për “Ndeshjen e Paqes”. Të buzëqeshur dhe të zhveshur nga çdo tension, dy figurat më të mëdha të futbollit botëror zbritën në një fushë të improvizuar në Paris pak orë përpara nisjes së fazës finale të “Euro 2016”-ës.
Një ndeshje simbolike që synon të japë mesazhin e bashkimit në prag të evenimentit më të madh të futbollit evropian. Në ndeshje morën pjesë figura të tjera të njohura të futbollit botëror, si Çiro Ferrara, Rio Ferdinand, David Trezege, Fernando Hierro, Dida, Marko Materaci, Hernan Krespo, Bebeto, Angelo Peruci dhe Klarens Sedorf. Maradona dhe Pele i drejtuan skuadrat nga stoli në një ndeshje që zgjati 30 minuta.