Gjergj Vyshka 09.06.2016 09:15
Presidenti i FSHV-së: “Dëshirojmë krijimin e një Federate me rëndësi në rajon. Do të ketë agjendë të ngjeshur, ndërsa do të pritet nga personalitetet më të larta në vend”. Aleksandar Boroçiç, presidenti i Federatës Evropiane të Volejbollit, do të jetë për herë të parë për një vizitë zyrtare në Tiranë. Parë kështu ardhja e tij ka një rëndësi të veçantë për presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i cili e sheh vizitën e tij si një mundësi për krijimin e institucionit që ai drejton me rëndësi në rajon.
E kjo që nga kombëtaret, klubet dhe deri tek infrastruktura. Pëllumbi ka konfirmuar se i pari i rrjetës evropiane do të pritet nga personalitetet më të larta në vend, ndërsa përgjatë vizitës së tij do të zhvillohet edhe një festival fëmijësh në sheshin “Nënë Tereza”. Gjë që do të jetë si një shenjë ringjalljeje e këtij sporti në vend për moshat. Ja dhe intervista e tij për gazetën “Sport Ekspres”:
– Në fundjavë do të keni për vizitë presidentin e Federatës Evropiane të Volejbollit, çfarë rëndësie ka kjo për ju?
– Së pari është hera e parë që një titullar i lartë i Federatës Evropiane të Volejbollit zbret në Tiranë. Dhe kjo nuk është pak, ndërsa ne shpresojmë që pas kësaj vizite të kemi mundësinë e krijimit të një Federate me rëndësi në rajonin tonë. Është shumë e rëndësishme dhe ne do ta presim me të gjitha nderimet, sepse ardhja e tij i ngre vlerat të gjithë volejbollit shqiptar.
– Cila është agjenda e tij?
– Mbetet për t’u konfirmuar, por Boroçiç do të pritet nga titullarët më të lartë në vend. E kjo që nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, apo presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Kemi ende për të konfirmuar, por në një farë mënyre kjo është vizita e tij, ndërsa do të mund të pritet dhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Vjen të shtunën dhe largohet të hënën në mesditë.
– Të dielën keni parashikuar një festival fëmijësh, çdo të thotë për vizitën e Boroçiçit?
– Është e vërtetë, të dielën në sheshin “Nënë Tereza”, do të jenë 300 fëmijë në shesh. Ne duam krijimin e një shkolle volejbolli, e kjo që në shtator, si dhe një mundësi e krijimit të së ardhmes së këtij sporti në vend për moshat. Dhe shpresojmë që kjo gjë të krijojë dhe bindjen tek ndërkombëtaret se ka lëvizje, gjë që në fakt deri më tani janë dhënë shenjat e para.
– Kosova para nesh si në infrastrukturë, ashtu dhe në nivel?
– Për infrastrukturë mundet, por për nivel është ende larg. Në tetor do të pranohet dhe në Federatën Botërore të Volejbollit, ndërsa sigurisht që ndihma jonë nuk ka për të munguar për t’i dhënë atë që duhet vëllezërve tanë.
– Së fundi, gjithë ky vrull në të gjithë këtë periudhë që drejtoni?
– Ne kërkojmë t’i ndryshojmë faqen sa më shpejt volejbollit shqiptar, sepse kishte ngelur mbrapa. Ka përpjekje dhe lëvizje e shpejt edhe pas vizitës së Evropianëve, që për ne është një vlerë e shtuar, do të kemi mundësinë për të parë një tjetër nivel zhvillimi.