AlbanianSport.com 08.06.2016 14:20
ASNN – Evropiani mund të jetë me ngjyra franceze, por Kombëtarja shqiptare debuton me nuaca iberike në këtë pjesëmarrje historike të saj, pasi do të jetë një gjyqtar spanjoll që do ta gjykojë i pari në “Euro 2016”. UEFA i ka besuar Karlos Velasko Karbajos sfidën e 11 qershorit që skuadra kuqezi do të luajë në Stadiumin e Lensit kundër Zvicrës.
Gjyqtari 45-vjeçar është një nga emrat më të njohur të klasës spanjolle dhe evropiane të “bilbilave. Velasko Karbajo është gjyqtar i Primera Ligës spanjolle që nga viti 2004, ndërsa që nga viti 2008 ai ka gjykuar edhe në arenën ndërkombëtare.
45-vjeçari, i cili cilësohet si një prej gjyqtarëve më të mirë të kontinentit, ka gjykuar finalen e Ligës së Evropës në vitin 2011
Spanjoll konsiderohet si shumë i rreptë, ndërsa nuk i kursen aspak kartonët. Karbajo njihet si gjyqtar autoritar, i ashpër dhe që nuk i kursen kartonët, gjë e cila mund të jetë në disfavorin e kuqezinjve të cilët luajnë fort fizikisht.
Kjo konfirmohet edhe nga statistikat në karrierën e tij. Vetëm në dhjetë ndeshjet e fundit që ka gjykuar, 45-vjeçari, i cili ka gjykuar edhe “El-Klasikon” Barcelona-Real Madrid, ka dhënë plot 60 kartonë të verdhë dhe 4 të kuq.
Ndërkohë, vetëm në sezonin e fundit, gjatë kampionatit spanjoll, Kupës së Mbretit, Kupave të Evropës dhe eliminatoreve të Euro 2016, Velasko Karbajo ka nxjerrë nga xhepi 180 kartonë të verdhë dhe 11 të kuq.