Gjergj Vyshka 08.06.2016 11:35
Federata Evropiane e Volejbollit kërkon kartelat mjekësore të lojtarëve, për femra e bëri “një sy qorr e një vesh shurdh” me idenë që do të jenë gati kur të bëhen ndeshjet nga data 17, deri më 19 qershor 2016, në Durrës. Kombëtarja e volejbollit të meshkujve, e cila drejtohet nga Jani Melka dhe ndihmësi i tij, Artan Kalaja, në prag të shkuarjes në stacionin e parë të Ligës së Evropës në Varna të Bullgarisë, ku do të luajë nga data 10, deri më 12 qershor 2016, i është nënshtruar kontrollit mjekësor.
Gjithçka është kryer në laboratorin mjekësor, që ndodhet pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, ndërsa seancat janë drejtuar nga mjeku Mel Ostreni. Të gjithë i janë nënshtruar testeve, ndërsa kombëtarja e meshkujve rezulton në një formë fizike të admirueshme. I vetmi që ka pasur probleme në nervin shiatik është Arbër Troka, që ka kryer dhe një seancë fizioterapie. Po përtej kësaj, kombëtarja e meshkujve dje është pajisur dhe me kartelat mjekësore.
Këto janë kërkesë e Federatës Evropiane të Volejbollit e që do të paraqiten si në Varna, ashtu dhe në Shkup, ku do të luhet nga data 17, deri më 19 qershor 2016, ndërsa kuqezinjtë do të jenë përballë Bullgarisë, Maqedonisë dhe Danimarkës. E në një farë mënyre, Federata Evropiane e Volejbollit ka bërë një sy “qorr” e një vesh “shurdh” përsa i përket mungesës së kartelave mjekësore në Poloni për kombëtaren e femrave me shpresën që do t’i kenë në stacionin e dytë.
Ai është nga data 17, deri më 19 qershor 2016 në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Por problemi më i madh për të dy kombëtaret është mungesa e mjekut dhe fizioterapistit, gjë që do të shmangte jo vetëm dëmtimet, po pse jo mund dhe duhet të kishte dhënë rezultate ndryshe në Poloni për femrat. Megjithatë gjendja e mirë fizike e lojtarëve, kjo dhe pas kontrolleve mjekësore që kanë bërë, të lë të mendosh që në Varna të Bullgarisë gjithçka do të jetë në rregull për djemtë e drejtuar nga Jani Melka.